Gazeta Si – Raketat që vranë dy persona në Poloni, mund të mos jenë hedhur nga Rusia, tha të mërkurën presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
“Ka informacion paraprak që e kundërshton këtë. Nuk dua ta them këtë derisa ta hetojmë plotësisht, por nuk ka gjasa në linjën e trajektores që të jenë hedhur nga Rusia. Por, do të shohim”.
Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s do të bëjnë hetime të plota përpara se të veprojnë.
Shpërthimi i së martës në një fshat polak, pranë kufirit me Ukrainën, ndodhi pasi Rusia nisi një valë sulmesh raketore kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Ministria e Jashtme e Polonisë tha se raketat ranë në Përzevodov – rreth 6 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Rusia mohoi se është përgjegjëse për shpërthimin, ndonëse zyrtarët polakë thanë se raketat ishin prodhim rus.
Polonia është vend anëtar i NATO-s dhe sulmi rus në territorin e saj do të rrezikonte zgjerimin e konfliktit përtej Ukrainës, pasi NATO-ja është e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive.
Neni 5 i Traktatit të NATO-s thotë se sulmi ndaj një vendi anëtar të aleancës ushtarake, është sulm ndaj të gjithëve.
Biden thirri një takim të liderëve të mbledhur në Bali të Indonezisë për samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20.
Edhe presidenti turk Erdogan tha të mërkurën se ai respekton deklaratën e Rusisë se raketat ruse nuk kishin goditur territorin polak dhe shtoi se ai beson se Moska “nuk ka të bëjë fare me këtë çështje”.
“Rusia thotë se kjo nuk ka të bëjë me ta dhe Biden pretendon se këto raketa nuk janë të prodhuara nga Rusia, duke dëshmuar se kjo nuk ka të bëjë fare me Moskën” tha Erdogan në një konferencë shtypi gjatë samitit G20 në Bali, Indonezi.
Erdogan nënvizon se “është e mundur që ky të jetë një gabim teknik”. Megjithatë, presidenti turk tha se situata duhet të hetohet dhe kështu ai do të flasë me presidentin rus Vladimir Putin pas kthimit të tij në Turqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje